Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe është çështje më aktuale sot sesa kur u nënshkrua para pesë vitesh.
Në një konferencë për media, Konjufca tha se kjo marrëveshje do të duhej të hidhej poshtë e të harrohej, meqë Gjykata Kushtetuese e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën në 23 pika të saj.
Konjufca e ka përmendur edhe projektin për ndarje ose shkëmbim të territoreve me Serbinë, që sipas tij, njësoj si Asociacioni, paraqet rrezik për Kosovën. Sipas tij, të dyja janë në tavolinë e negociatave me Serbinë.
“Sot është 5-vjetori i nënshkrimit të Zajednicës, në të cilën e pat hedhur nënshkrimin kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa. Fatmirësisht marrëveshja u hodh poshtë nga Kushtetutesja, pasi në 23 pika u shpall jokushtetuese, por për shoqërinë, shtetin dhe popullin tonë ka qenë shumë tronditëse deri në cilën pikë mund të shkojnë politikanët që e përfaqësonin vendin në atë kohë. Pse po ia kushtojmë këtij projekti të rrezikshëm këtë konferencë? Në vend që të shpallej e vdekur Zajednica pas vendimit, ajo është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut. Fatkeqësisht në LDK dhe në partitë e PAN-it ka dy llojë të politikanëve, pro Zajednicës dhe pro shkëmbimit të territoreve. Prandaj duhet të ngrehim këtë çështje, pasi është vetëm VV-ja që i refuzon dhe i kundërshton të dyja”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, këto duhet të kundërshtohen nga të gjithë ata që përfaqësojnë Kosovën në dialog.
“Edhe shkëmbimi, edhe Zajednica janë sinonime të ndarjes së Kosovës. Zajedenica është njëfarë bosnjëzimi i Kosovës”, tha ai. /Gazeta SInjali