Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe në rastin e kandidimit të mundshëm të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për deputet, shkruan Gazeta Sinjali.
Daka po ashtu tha se nuk i komenton deklaratat e politikanëve, të asnjërit, jo vetëm të Glauk Konjufcës.
“Unë do të privohem nga përgjigjja sepse në KQZ do të vendoset. Këtë do ta vendosim pasi ta kemi listën e kandidatëve për deputet dhe pasi ta verifikojmë nga Këshilli Gjyqësor se kush ka dënime dhe kush jo dhe vetëm pastaj do ta vendosim. Unë nuk i komentoj deklaratat e politikanëve, të asnjërit, jo vetëm të Glauk Konjufcës. Por gjithsesi se KQZ do ta zbatoj Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme”, tha ajo.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, mbrëmë tha se Kurti ka të drejtë të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet duke shtuar se kush ia largon këtë mundësi përbën shkelje dhe duhet trajtuar kur të vijë drejtësia në vend.
“Kush shkon deri në masën për me e prek, qoftë edhe prej KQZ-së këtë parim universal të Kodit Penal, kush thotë që për veprën penale më i rëndësishëm qenka Ligji për Zgjedhjet sesa Kodi Penal ai bën shkelje të rëndë. Kjo shkelje duhet me u trajtu pas disa muajve kur të vijë drejtësia në vend”, ka thënë Konjufca.
Kurse, Daka thotë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është plotësisht i qartë dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë.
“Për mua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mua si juriste është plotësisht i qartë, gjuha që është përdorë në këtë aktgjykim mund të kuptohet edhe nga ata që nuk janë juristë, për mua nuk ka asnjë dilemë. Natyrisht se dilemat e komunitetit jo juridik janë të kuptueshme sepse nuk kanë njohuri të mjaftueshme juridike, dhe konsideroj se analizat që bëhen nga jo profesionistët vetëm i shkaktojnë dëm qytetarëve të Kosovës”, përfundoi ajo në Top Channel.