Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar 45 martirët shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan 24 vjet më parë në krimin e gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia e Serbisë në Sllovi të Lipjanit, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufa tha se viktimat e kësaj masakre ishin burra, gra, të rinj e pleq të paralizuar, duke i përmendur edhe dy nga vrasjet më mizore në mesin e këtyre 45 martirëve.
“Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84 vjeçare e dogjën të gjallë. Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”, tha Konjufca.
“Dëshmorët, martirët dhe lufta jonë çlirimtare do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e lavdishme kombëtare. Janë vetë liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, përfundoi ai.