Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka falënderuar ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, për bashkëpunimin gjatë shërbimit të saj si ambasadore në vendin tonë.
“Duke i dëshiruar suksese në angazhimet e radhës, kryetari Konjufca është shprehur mirënjohës për kontributin e ambasadores Stjernvall në shumë fusha e projekte konkrete dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës”, thuhet në njoftimin për media.
Konjufca po ashtu ka vlerësuar përkrahjen e Finlandës në proceset e shtetndërtimit demokratik të Kosovës dhe fuqizimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Ndërsa, ambasadorja Stjernvall ka vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Finlandës dhe Kosovës, duke konfirmuar njëherësh avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në të mirë të dy popujve dhe vendeve tona mike.