Glauk Konjufca ka folur në konferencë për media pas refuzimit të ofertës së tyre nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për listë të përbashkët zgjedhore.
Konjufca është shprehur se LDK ka frikë dhe për këtë ata duhet ta pyesin vetën pse.
“Po ne e morëm letrën e z.Mustafa dhe ajo që ka shkaktuar letra e Mustafës është çudi dhe befasi në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për arsye se LDK ka frikë dhe nuk guxon të krijojë qeverinë me Vetëvendosjen. Pra, ku buron kjo, duhet ta pyesin vetën dhe qytetarët e Kosovës po pyesin cila është arsyeja e këtij refuzimi dhe e frikës të shkohet me Vetëvendosjen në listë ku Vjosa Osmani do ta kishte numrin 1”, tha ai.
Sipas Konjufcës koalicioni do të ishte fitues, por që gjithashtu refuzimi i LDK-së tregon kush ka qenë i sinqertë.
“Vetëvendosje është e sigurt që ne po hynim në këtë garë të përbashkët me LDK-në që do të shkaktonte fitore para zgjedhjeve, mirëpo refuzimi i LDK-së tregon se kush ka qenë i sinqertë për bisedimet e këtij koalicioni të mundshëm që do të ishte me gjasën më të madhe qeverisës. Ne kemi bërë gjithçka që është e mundshme si Vetëvendosje”, tha ai.