Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kritikuar BE-në se nuk e ka mbajtur fjalën për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Sipas tij, integrimi nuk është proces i njëanshëm, por është i bazuar në procesin reciprok.
“Ne e mendojmë BE-në si një sistem të vlerave të demokracisë drejtësisë e sigurisë që duhet ta ndërtojmë këtu në Kosovë dhe vetëm kështu transformohemi duke u bërë Bashkim Evropian“, ka deklaruar ai.
Konjufca tha se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë nëse nuk i përfshin brenda vetes Kosovën dhe vendeve e Ballkanit Perëndimor.
“As BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pika më kritike e BE-së ka të bëjë me zgjerimin. U bënë 8 vite kur shteti i fundit iu bashkua BE-së dhe nuk mbaj mend që procesi i zgjerimit është në krizë sikur sot. Bashkimi Evropian nuk i ka dalë zot Kosovës në një premtim e bëhet fjalë për liberalizimin e vizave“, ka thënë ai./GazetaSinjali/