Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca e ka pritur sot në takim shefin e Ambasadës së Çekisë në Prishtinë, Pavel Bilek, me të cilin diskutuan për tema të ndryshme me interes dhe synim përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Konjufca e falënderoi shefin e Misionit diplomatik çek për mbështetjen e deritashme të shtetit të tij, duke theksuar se e çmon lart angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për Kosovën në kuadër të Grupit të Vishegradit.
“Ne përkrahim çdo proces që është në interes të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, prandaj kërkojmë mbështetje nga Forumi i Vishegradit për Fondin e Ballkanit Përendimor, si i vetmi mekanizëm që përfshin drejtpërdrejtë gjashtë vendet e rajonit, me të cilin aktualisht udhëheq Republika e Kosovës”, tha Konjufca.
Në takim u bisedua edhe për marrëveshjet ekonomike midis dy vendeve dhe për Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik të nënshkruar nga ministritë përkatëse dhe që pritet të funksionalizohet me takimin e planifikuar të Komisionit të përbashkët ekonomik.
Në këtë kuadër u bisedua edhe për Marrëveshjen për shmangien e taksave të dyfishta, e cila është ratifikuar nga pala kosovare, mirëpo akoma qëndron e bllokuar në parlamentin çek.
Konjufca dhe Bilek vlerësuan marrëdhëniet midis Kosovës dhe Çekisë dhe u dakorduan që vizita e shefit të dioplomacisë çeke në Prishtinë, e shtyrë për shkak të zgjedhjeve, të realizohet në afatin më optimal. /GazetaSinjali/