Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca edhe zyrtarisht i ka dorëzuar sonte detyrën kryetares së re Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit u zgjodh në këtë post pas marrëveshjes së koalicionit LVV-LDK.
Konjufca dhe Osmani me këtë rast uruan njëri-tjetrit për pozitat e reja dhe vlerësuan lart punën e tyre të deri tanishme.
Ndryshe, Konjufca do të jetë ministër i Jashtëm në Qeverinë Kurti, post për të cilin më herët ishte thënë se do ta merrte Blerim Reka.
Kryeparlamentarja e parë grua në Kosovë, Vjosa Osmani, u zgjodh në këtë post me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ajo pas marrjes së detyrës tha se shpreson që secila grua e zgjedhur nga vota e qytetarit do të merret me problemet e vajzave dhe grave në Kosovë. /Gazeta Sinjali/