image Konfuzioni rreth konfliktit të armatosur në Prishtinë

Kosovë

Konfuzioni rreth konfliktit të armatosur në Prishtinë

news image

Të dhëna kontradiktore janë dhënë sot nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Policia e Kosovës lidhur me konfliktin e armatosur në Prishtinë ku deri më tani së paku është konfirmuar për një të vdekur dhe tre të plagosur.

Fillimisht zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka bërë të ditur për Sinjalin se është vrarë një person, mirëpo nuk vonoi shumë dhe mjeku kujdestar Agron Çitaku dha një version tjetër nga ai që u kumtua nga zëdhënësi duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për të vdekur por vetëm për katër persona të plagosur. Vetë Çitaku, në një konferencë tjetër për medie, pas pak kohësh konfirmoi atë që kishte deklaruar fillimisht zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu se ka ndërruar jetë njëri nga katër personat e lënduar në sulmin e armatosur në lagjen Mati 1 të kryeqytetit.

Edhe zyrtarët e policisë kishin të dhëna kontradiktore lidhur me emrat e personave që pësuan nga ky konflikt i armatosur.

Fillimisht informacioni që qarkullonte thuhej se i vrari është Fadil Rafuna, i cili në fakt është personi i plagosur rëndë. Ndërsa vetëm më vonë u bë e mundur të konfirmohej se i vrari është Bashkim Mehmeti.

Të plagosuri nga ky sulm  kanë mbetur G. Rafuna, viti i lindjes 1943, F. Rafuna, viti i lindjes 1968 dhe  M.Rafuna, viti i lindjes 1972.

Lidhur me këtë konflikt të armatosur policia ka arrestuar Miftar e Naim Mehmetit, babë e bir.  

Në këtë sulm të armatosur është përmendur se ka qenë e përfshirë edhe familja Beka por më vonë doli që familjet e përfshira në këtë përleshje janë Mehmeti dhe Rafuna.  

Si pasojë e këtyre informacioneve kontradiktore  dhe mungesës së konfirmimeve zyrtare me kohë, mediat dhe opinioni publik janë shërbyer me informacione të pakonfirmuara e që disa kanë rezultuar me pasaktësi./Sinjali/