Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Në një sherr janë përfshirë edhe dy anëtarë të një familjeje në Prishtinë, ku një i ri dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.
Sinjali mëson se motivi që dyshohet se shtyu 21-vjeçarin të bëjë këtë veprim, është fakti që vëllai i tij më i ri në moshë nuk i kishte dhënë atij paratë që kërkonte. I dyshuari e ka sulmuar 19-vjeçarin duke e goditur me shqelma dhe si pasojë i ka shkaktuar atij lëndime trupore.
Por i dyshuari menjëherë pas kryerjes së aktit të shëmtuar, ka ikur nga shtëpia dhe si rrjedhojë pavarësisht denoncimit në Polici, për disa ditë ka qenë e pamundur që ai të arrestohet.
Pas veprimeve hetimore, i dyshuari është arritur që të lokalizohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.