Më 13 mars në Komunën e Klinës dhe në atë të Vitisë u shënuan dy rastet e para me koronavirus në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Dhe deri tash në këto dy komuna janë konfirmuar gjithsej 58 raste pozitive me COVID-19, 53 në Viti dhe 5 në Klinë.
Por, sot të dy komunat në fjalë nuk e kanë asnjë rast aktiv, të gjithë të infektuarit që vijnë nga Klina e Vitia janë shëruar plotësisht, nuk ka pasur asnjë vdekje nga COVID-19.
“Klina vazhdon të ketë 0 Raste me Covid 19”, ka shkruar drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Hekuran Sejdiu, në një postim në Facebook.
Sejdiu u bëri thirrje qytetarëve të Klinës të jenë shumë të kujdesëshëm sepse, sipas tij, rreziku nuk ka kaluar akoma.
“Virusi Covid 19 është i tillë që mjafton vetëm një rast pozitiv për ta ndryshuar rrjedhën e jetës sonë . Ju lutemi qëndroni në shtëpi”, ka shkruar ai.
Kurse, në Komunën e Vitisë i infektuari i fundit është shëruar mbrëmë, pasi rezultoi negativ në testin e dytë për koronavirus, çka është tregues për shërim, sipas Organizatës Botërore të Shnëdetësisë.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sonte lajmin më të mirë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik-është shëruar i infektuari i fundit me COVID-19 nga kjo komunë. Haliti tha se Komuna e Vitisë, personeli shëndetësor, policia, qytetarët dhe të gjithë ata që po merren me menaxhimin e situatës me pandeminë, sonte ndihen më të lehtësuar, pasi Vitia nuk ka më asnjë rast të infektuar”, thuhet në njoftim e mbrëmshëm të Komunës së Vitisë.
Kujtojmë që pas konfirmimit të rasteve të para në këto komuna, më 13 mars, qeveria, tani në detyrë, mori vendim për futjen e këtyre komunave në karantinë. Ky vendim mbeti në fuqi deri më 3 maj.
Ani pse, më nuk ka asnjë rast aktiv në Komunën e Vitisë, Ministria e Shëndetësisë i shpalli “vatra të infeksionit” disa fshatra të kësaj komune, të infektuarit e të cilëve, i pari i Vitisë, Sokol Haliti, tha se janë shëruar./Gazeta Sinjali/