image Komuna e Prishtinës liron hapësirat publike të zëna nga lokalet

Kosovë

Komuna e Prishtinës liron hapësirat publike të zëna nga lokalet

news image

Me ngritjen e temperaturave kafenetë e kryeqytetit kanë zgjeruar tarracat e lokaleve të tyre, duke vendosur tavolinat në trotuare dhe në hapësirën e sheshit pa pasur leje.

Inspektorati i Komunës së Prishtinës gjatë kësaj jave i ka detyruar ata që ta lirojnë hapësirën publike, madje kjo ka qenë edhe vërejtja e fundit.

Kryeinspektori Adonis Tahiri thotë se në rast se përsëritet do të konfiskohen tavolinat dhe do të gjobiten lokalet.

Në rast se do të përsëritet prapë do të shkojmë me gjobë dhe konfiskim. Qëllimisht me të parën nuk kemi shqiptuar gjobë, duke pasur parasysh se edhe sektori i gastronomisë ka qenë i dëmtuar gjatë kësaj kohe. Qëllimi ynë nuk është gjoba, por do ta shfrytëzojmë si mjet të fundit edhe gjobën”, tha Tahiri për Kohën.

Tahiri ka treguar se gjatë vitit të kaluar kanë treguar konsideratë për lokalet, por shumë prej tyre edhe e kanë keqpërdorur këtë gjë.

Gjatë vitit të kaluar, për shkak të masave nga Qeveria e Kosovës që të punohet vetëm në ambient të hapur, deri diku i kemi lejuar me zgjerimin e tarracave jashtë kufijve brenda të cilëve kanë pasur leje, mirëpo, siç e kemi parë, një pjesë e madhe e lokaleve e kanë keqpërdorur këtë gjë duke u zgjeruar tepër shumë”, shtoi Tahiri.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, kërkon më shumë mirëkuptim nga Komuna, për shkak të dëmtimit nga pandemia.

Por qytetarët mendojnë se kafenetë nuk duhet t’i zënë edhe hapësirat publike për interesa të tyre.

Vitin e kaluar Komuna e Prishtinës liroi kafenetë nga pagesa për shfrytëzim të hapësirës publike si përkrahje pas mbylljes që u bë në marsin e kaluar. Këtë vit gastronomët nuk janë liruar nga pagesa e taksës./Gazeta Sinjali/