image Komuna e Prishtinës emëroi drejtoreshë shkolle një pensioniste

Skandaloze

Komuna e Prishtinës emëroi drejtoreshë shkolle një pensioniste

news image

Valbona Kastrati u emërua dhe po vazhdon të jetë drejtoreshë e shkollës “Mehmet Gjevori” në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, anipse e ka arritur moshën e pensionimit qysh para dy viteve, raporton Gazeta Sinjali.

Kastrati kishte qenë drejtoreshë e shkollës “Meto Bajraktari” në kryeqytet deri në gusht të vitit 2018, kur u pensionua. Ndërsa më 1 shtator të atij viti, kur u hap shkolla “Mehmet Gjevori”, Valbona Kastrati mori drejtimin e saj.

Nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës i kanë thënë Sinjalit se vendimi për emërimin e Kastratit në këtë pozitë u bë me qëllim të mbështetjes.

“Ju njoftojmë se Valbona Kastrati, ka qenë drejtoreshë e shkollës ‘Meto Bajraktari’ dhe nga data 31 gusht 2018, ka dalë në pension. Mandej mbasi u hap shkolla fillore ‘Mehmet Gjevori’ për të mbështetur është caktuar si koordinatore e shkollës për organizimin dhe funksionalizimin e shkollës”, thuhet në përgjigjen e kësaj drejtorie.

Kjo drejtori e quan ‘mbështetje’ shkeljen e Ligjit të Punës (neni 67) dhe Ligjit për shërbyes civilë (neni 90 dhe neni 91). Ku thuhet se “marrëdhënia e punës në shërbim civil përfundon me arritjen e moshës së pensionimit (65 vjeç)”.

Kastrati në një bisedë përmes telefonit e pranoi se është drejtoreshë shkolle, por kur kuptoi se Gazeta Sinjali ka informacione që ajo është pensionuar, Valbona Kastrati, mohoi atë që tha, duke thënë se faktikisht ajo është vetëm ushtrues detyre në shkollën “Mehmet Gjevori”. Ajo tha se në këtë pozitë është nga 30 shtatori i këtij viti.

Por siç duket Kastrati ngatërroi edhe datën, pasi sipas drejtorisë së arsimit në Komunën e Prishtinës ajo është drejtoreshë e shkollës “Mehmet Gjevori” që nga shtatori i vitit të kaluar, kur është hapur kjo shkollë.

“Po kur është hapë shkolla, unë e definova, në maj ka dalë në pension, në shtator ka vazhdu për një kohë”, rikonfirmoi për Gazetën Sinajli, Ardiana Ismaili, zyrtare e lartë e arsimit në drejtorinë e arsimit në Komunën e Prishtinës.

Nga kjo drejtori vazhdojnë të insistojnë se Kastrati nuk është drejtoreshë, ndonëse e pranuan se kjo shkollë nuk ka pasur drejtor që kur është hapur dhe se funksionin e drejtorit e ka kryer Valbona Kastrati.

 “Ajo nuk është drejtoreshë, është koordinatore, është e angazhume. S’ka pasë asnjëherë drejtor shkolle, tash hapet konkursi. Drejtoresha (Valbona Kastrati) e ka kry funksionin e drejtoreshës”, tha tutje Ismaili.

Sidoqoftë drejtoria e arsimit e hedh fajin te Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës, duke thënë se konkursin për drejtorë të shkollave e hapë kjo zyrë dhe jo drejtoria e arsimit.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në e-mail të zëdhënëses së Komunës së Prishtinës për këtë rast, por nuk ka pranuar përgjigje as edhe pas pesë ditëve./Gazeta Sinajli/