image Komisioni Evropian ndan 50 milionë euro për ta ndihmuar Kosovën

Kosovë

Komisioni Evropian ndan 50 milionë euro për ta ndihmuar Kosovën

news image

Komisioni Evropian, në emër të Bashkimit Evropian, ka ekzekutuar 50 milionë euro të programit të Asistencës Makro-Financiare (AMF) për t’i dalë në ndihmë Republikës së Kosovës, transmeton Gazeta Sinjali.

Asistenca Makro-Financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së me vendet fqinje dhe ato të zgjerimit, dhe qëllimi i saj është të përdoret si instrument i jashtëzakonshëm i BE-së për reagimin ndaj krizave të ndryshme.

Fondet e AMF-së vihen në dispozicion në formën e kredive afatgjata dhe do të kontribuojnë për rritjen e stabilitetit makroekonomik për krijimin e hapësirës për alokimin e burimeve për zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë së COVID-19.

“Më 30 korrik 2020, në emër të BE-së Komisioni ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MM) me Kosovën, i cili vlen deri në 100 milionë euro dhe është i ndarë në dy këste të barabarta prej 50 milionë eurosh”.

“Për marrjen e këstit të dytë të ndihmës, në Memorandumin e Mirëkuptimit u dakorduan 9 kushte politike, do të thotë se masat duhet të adresojnë financat publike dhe stabilitetin financiar, papunësinë e të rinjve, si dhe qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit. Përmbushja e veprimeve të politikave do të vlerësohet para disbursimit të këstit të dytë që mund të paguhet në gjysmën e parë të vitit 2021, varësisht nga shpejtësia me të cilin Kosova i zbaton masat e dakorduara të politikave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë. /Gazeta Sinjali/