Rrahman Rama, komandant i FSK-së, ka folur për letrën që dje presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i kishte dërguar guvernatorit dhe kryeministri të Australisë, ku ju ka ofruar ndihmën e FSK-së për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Komandanti i FSK-së, thotë se janë konsultuar me presidentin dhe i kanë ofruar mundësitë dhe kapacitet që kanë. Ai shton se janë të gatshëm të intervenojnë në rast se ka kërkesë.
“Patjetër se presidenti është komandant suprem, ne jemi konsultuar dhe i kemi ofruar mundësitë dhe kapacitet tona, kurdo që ata kanë nevojë, edhe në bazë të kërkesës së tyre ne do të jemi të gatshëm. Me këto kapacitet që i kemi i kemi dëshmuar disa herë, ne vetëm i kemi mirë mbajt dhe i kemi trajnuar, nuk kemi asnjë pengesë në kuptimin ligjor që trupat tanë të lëvizin në shtetin e Australisë”.
“Ne jemi të gatshëm me këto kapacitete që i kemi nuk e kemi asnjë problem që t’i dorëzojmë kapacitetet tona”, shton ai në T7, teksa shpjegon se për të ndihmuar Australinë kanë njësitin e zjarrfikësve dhe kërkim shpëtimit.
Rama ka folur edhe për ndihmën e FSK-së pas tërmetit në Shqipëri. Ai shton se masat i kanë marrë në bazë të nevojave.
“Ne i kemi kryer detyrat e tona obligimet kushtetuese, me të marrë informacion, ne i kemi marrë hapat tonë, dhe me të marrë informacionin ne i kemi mobilizuar forcat tona njësitet e specializuara dhe e kemi kryer një obligim dhe një detyrë që e kemi. Cilat kanë qenë nevojat pas tërmetit në fatkeqësinë që kanë ndodhë ne i kemi marrë masat”, ka thënë i njëjti.