image KMLDNj kërkon nga presidenti lirimin e të burgosurve gjatë pandemisë

Kosovë

Komunikatë/ KMLDNj kërkon nga presidenti lirimin e të burgosurve gjatë pandemisë

news image

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNj) ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që urgjentisht të lirohen të burgosurit që i plotësojnë kushtet. Kjo për shkak të pandemisë COVID-19.

Ky këshill ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, lirimin e të dënuarve të cilët i plotësojnë kushtet, gjatë kohës së pandemisë.

“Në situatën aktuale, në mungesë të bazës ligjore, Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi e ka në dorë mundësinë për lirim të të dënuarve që i plotësojnë kushtet. KMDLNj insiston që Presidenti Thaçi ta vë në veprim mëshirën e shtetit ndaj të privuarve nga liria”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së, në Kosovë aktualisht janë 1800-2000 persona të privuar nga liria ( në mbajtje, në paraburgim apo në vuajtje të dënimit). Prej tyre 55 janë të moshës së shtyrë, 35 janë me diagnozë terciare apo me sëmundje të rënda kronike, afërsisht 50 janë të mitur dhe me masë edukative, sikur që afërsisht 50 janë femra të privuara nga liria.

KMDLNj propozon që të lirohen të gjithë ata që kanë mbetje të dënimit më pak se 5 muaj, të moshuarit dhe të sëmurët, një numër i femrave të dënuara dhe të miturv. Kurse, të gjithë ata që janë shfrytëzues të vikendeve në shtëpi, nëse nuk i plotësojnë kushtet për lirim të menjëhershëm atëherë të lirohen në shtëpi, për aq kohë sa zgjatë pandemia dhe pastaj të kthehen në vuajtje të dënimit./Gazeta Sinjali/         

Kjo është komunikata e plotë:

Është një përshtypje e gabuar se personat e privuar nga liria, të burgosurit dhe të dënuarit ,me privimin e tyre nga liria, privohen edhe nga të drejtat e njeriut.

Vërtetë ata privohen nga disa të drejta (me vendim të formës së prerë të gjykatave përkatëse), por jo edhe nga të drejtat elementare siç janë; e drejta për jetë, e drejta për trajtim të dinjitetshëm që e përjashton trajtimin çnjerëzorë, e drejta për mbrojtje shëndetësore, e drejta për punë dhe shkollim (në mjedisin ku qëndrojnë përkohësisht), e drejta për krijim të familjes dhe ruajtjes së familjes, e drejta për votim në zgjedhje lokale dhe të përgjithshme dhe të tjera. Të dënuarit me një vendim të formës së prerë, kanë të drejtë të kërkojnë falje nga Presidenti, lirim me kusht kur plotësojnë kushtet e parapara me Ligj dhe ndërprerje (pezullim) të përkohshëm të dënimit. Për të dënuarit që punojnë vlen Ligji i Punës, përjashtuar këtu lartësia e kompensimit për punën që e bëjnë.

Deri para një viti, të dënuarit kanë përfituar pak nga Paneli për Lirim me Kusht ( tash është gjendje më e mirë). Kurse falja nga Presidenti ka qenë simbolike dhe tallje me kërkesat e të dënuarve, sikur edhe shpërfillje e skajshme e punës së mirë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

KMDLNj, një kohë të gjatë ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë Ligjin për Amnisti e që ka qenë premtim elektoral i disa ministrave të Drejtësisë. Dhe, ky Ligj asnjëherë nuk është miratuar e që ka shkaktuar revoltë dhe mosbindje deri në grevë të urisë të personave të privuar nga liria, e ka vështirësuar në masë të madhe punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe punën e organizatave monitoruese të cilat, përveç mbrojtjes së të drejtave të personave të privuar nga liria ka dalë në mbrojtje edhe të stafit korrektues duke ndërmjetësuar në tejkalimin e situatave që lehtësisht kanë mundur të përshkallëzohen duke shkaktuar viktima dhe pasoja të pa-parashikueshme.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID -19 në Kosovë, KMDLNj, menjëherë ka kërkuar masa shtesë për ruajtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues, administrativ dhe shëndetësor të burgjeve si dhe hartimin e një liste prioritare (në bazë të shkallës së rrezikshmërisë, pjesës së mbetur të dënimit, moshës, gjinisë, gjendjes shëndetësore dhe natyrës së veprës) të atyre të dënuar që do të liroheshin, që do të kishin ndërprerje të përkohshme të dënimit (sa zgjatë pandemia) dhe atyre që dënimi do t’u zëvendësohej me masë tjetër alternative të dënimit. Për këtë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtorin e SHKK-së, drejtorin e Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve, drejtorët e Institucioneve ku mbahen të dënuarit, me ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe me Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Duke ditur që nuk ekziston asnjë bazë ligjore që i jep të drejtë Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e as drejtorit të SHKK-së të ndërmerr ndonjë veprim konkret për lirim e personave të privuar nga liria dhe duke marrë kërkesa të çdoditshme (përmes telefonit) nga personat e privuar nga liria për lirim të tyre, si edhe duke i marrë parasysh veprimet e shteteve fqinje dhe atyre evropiane që kanë liruar një numër të konsideruar të burgosurish duke ua falur pjesën e mbetur të dënimit apo duke ua ndërprerë përkatësisht vuajtjen e dënimit, KMDLNj, por edhe organizatat e tjera monitoruese, QKRMT-ë në radhë të parë kanë kërkuar që ministrja Haxhiu t’i drejtohet me një kërkesë urgjente Komisionit Parlamentar për Legjislacion në mënyrë që të krijohet një mundësi për veprim të shpejtë në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Për KMDLNj-në është habi dhe nonsens që Komisioni për Legjislacion jo që nuk e ka shqyrtuar kërkesën që është shumë e arsyeshme dhe e nevojshme, por as që ka pranuar të takohet me ministren Haxhiu, duke ia mohuar ligjshmërinë e postit që e ka. Për KMDLNj-në është krejtësisht i papranueshëm politizimi i çdo kërkese që bëhet e sidomos e konsideron të pakuptimtë lojën politike që po bëhet në kurriz të të drejtave të personave të privuar nga liria. Kërkesë për lirim të pjesshëm të personave të privuar nga liria është kërkesë eksplicite e KMDLNj-së e cila është mbështetur në rrethanat e krijuara.

Në rastin konkret ministrja Haxhiu nuk ka marrë asnjë vendim (në mungesë të bazës ligjore), por ka qenë përçuese e kërkesave të personave të privuar nga liria, të KMDLNj-së, të QKRMT-së, të familjeve të personave të privuar nga liria dhe organizatave tjera. Është e qartë se as kjo ministre e Drejtësisë, sikur ata para saj, nuk kanë asnjë të drejtë të falin, por as të ndërhyjnë në përpilimin e listave të atyre që do të falen për të mënjanuar politizimin e përfituesve.

Në Kosovë aktualisht janë 1800-2000 persona të privuar nga liria ( në mbajtje, në paraburgim apo në vuajtje të dënimit). Prej tyre 55 janë të moshës së shtyrë, 35 janë me diagnozë terciare apo me sëmundje të rënda kronike, afërsisht 50 janë të mitur dhe me masë edukative, sikur që afërsisht 50 janë femra të privuara nga liria.

Propozimi i KMDLNj-së ka qenë që të lirohen të gjithë ata që kanë mbetje të dënimit më pak se 5 muaj, të moshuarit dhe të sëmurët, një numër i femrave të dënuara dhe të miturve kurse të gjithë ata që janë shfrytëzues të vikendeve në shtëpi, nëse nuk i plotësojnë kushtet për lirim të menjëhershëm atëherë të lirohen në shtëpi për aq kohë sa zgjatë pandemia dhe pastaj të kthehen në vuajtje të dënimit. Këto do të vlenin vetëm për të dënuar që e kanë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Për rastet në paraburgim e që nuk mund të ndikojnë në vazhdimin e hetimeve apo e kanë shkallën e rrezikshmërisë së ulët – masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me një masë tjetër alternative.

Ligji aktual në Kosovë shprehimisht thotë se cilat vepra nuk mund të përfshihen në falje dhe kjo duhet të zbatohet gjatë faljes.

KMDLNj është në kontakt me Zyrën e Presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi , si adresa e cila në bazë të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese që i ka mund të veprojë shpejt dhe drejtë në përputhje me me situatën aktuale që nuk vlerësohet si e zakonshme, prandaj edhe duhet të merren vendime të jashtëzakonshme. Në situatën aktuale, në mungesë të bazës ligjore , Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi e ka në dorë mundësinë për lirim të të dënuarve që i plotësojnë kushtet. KMDLNj insiston që Presidenti Thaçi ta vë në veprim mëshirën e shtetit ndaj të privuarve nga liria!/Gazeta Sinjali/