Qeveria e Kosovës ka miratuar të shtunën vendimin për zgjerim të listës së personave që do të strehojë përkohësisht nga Afganistani, si pasojë e krizës në këtë shtet.
Sipas vendimit të 21 gushtit, përveç personave që janë në listën e aplikimit për viza speciale të imigrimit në Shtetet e Bashkuara, mbrojtje e përkohshme do t’u ofrohet edhe personave të kualifikuar në grupin me prioritet të dytë, si dhe familjeve të tyre.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka njoftuar më 2 gusht se punëtorët aktualë dhe ata që kanë punuar në agjenci amerikane apo agjenci që pranojnë fonde amerikane, tani do të mund të aplikojnë për statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara.
Punëtorët dhe ish-punëtorët e Qeverisë amerikane apo ata të operacioneve ushtarake të NATO-s, që nuk përmbushin kriteret për programet speciale për viza, janë të përfshirë në listë, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Krijmi i listës “Prioriteti 2”, për afganët brenda Programit të Pranimit të Refugjatëve, do të mbulojë afganët dhe familjarët e tyre që “mund të jenë në rrezik për shkak bashkëpunimit me SHBA-në”, mirëpo nuk janë në gjendje të aplikojnë në programin special për viza të imigrantëve, meqë nuk kanë punuar drejtpërdrejt për Qeverinë afgane.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se ky program nënkupton se “mijëra afganë” dhe familjet e tyre kanë mundësi që të kenë lejeqëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara si refugjatë.
Situata në Afganistan është përshkallëzuar nga 15 gushti, kur talibanët kanë fituar kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabulit dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Përveç Kosovës edhe vendet tjera në rajonin e Ballkanit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë shprehur gatishmëri për të pranuar përkohësisht afganët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë për kanalin televiziv britanik Skynews se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së këtyre personave në Kosovë.
Talibanët kanë fituar kontrollin e Afganistanit pak ditë para afatit të fundit – 31 gusht – për tërheqje të forcave ndërkombëtare nga ky shtet.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.