Konfrontimi i një familje me hajnat që u futën në shtëpinë e tyre, në lagjen ‘Përroi i njelmët’ në Prishtinë u përcoll me gjuajtje me armë. Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se nga shtëpia që të dyshuarit e kishin cak për të kryer vjedhjen, u dëgjuan të shtëna nga armët që dyshohet se u shkrepën gjatë këtij ballafaqimi. Disa persona të dyshuar tashmë janë arrestuar, teksa janë sekuestruar edhe armë.
Sinjalizuesit kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për familjen Krasniqi, djemtë e së cilës i ka zënë sherri me Policinë, pas incidentit që ndodhi në shtëpinë e tyre, ku u kapën me hajnat.
Sipas informacioneve të para, me rastin e intervenimit nga ana e Policisë, është sekuestruar një arsenal armësh e municioni, që u gjetën nga zyrtarët policorë, pas ndërhyrjes në shtëpinë e tyre, ku edhe ndodhi ngjarja.
Dëshmitë që u gjetën në shtëpinë e familjes Krasniqi do të përdoren si prova materiale për rastin, teksa disa persona janë vënë në pranga të Policisë, nën dyshimin për përfshirje në këtë rast.
Pas ndërhyrjes së njësive përkatëse policore, janë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe më pas janë kryer procedurat e tjera.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë për të marrë një konfirmim zyrtar, por akoma s’kanë kthyer përgjigje.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e tjera të rastit.