Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se tërheqja e 10 përqindëshit të parave të Trustit nuk do të bëjë zgjidhje që kjo qeveri po e proklamon, transmeton Gazeta Sinjali.
Kusari-Lila ka kritikuar qeverinë Hoti, duke thënë se kjo ide nuk do të ketë ndikim në afatin afatmesëm dhe afatgjatë.
“Kjo Qeveri, në situatë krize sikur askund në botë, ka vendosur që qytetarëve t’u ofrojë mundësinë që me mjetet e veta të dalin nga kriza. Në aspektin parimor kjo është e gabuar dhe në aspektin qeverisës është e papërgjegjshme”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa vazhdon tutje, “Ne aspektin afatmesëm dhe afatgjatë ekonomik nuk do të ketë ndikim, në të kundërtën do të rrezikojë një sistem i cili është i dizajnuar që t’u shërbejë qytetarëve të moshës mbi 65 vjeçare dhe nuk do të bëjë zgjidhjen të cilën kjo qeveri po e proklamon. Vet Pakon e Rimëkëmbjes e shohim si joserioze dhe shumë të mangët”, shpjegoi ajo.
Deputetja Kusari-Lila në fund deklaroi se është e bindur se edhe nëse ligji do të kalojë, efekti nuk do të jetë ai i pritshmi./Gazeta Sinjali/