image Kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj Amerikës, Ikballe Huduti deklarohet e pafajshme

Drejtësi

Kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj Amerikës, Ikballe Huduti deklarohet e pafajshme

news image

E akuzuara, Ikballe Berisha-Huduti, që kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj autoriteteve amerikane të cilët kishin realizuar një sulm në Irak, ku kishte mbetur i vrarë gjenerali dhe udhëheqësi i gardës revolucionare të Iranit Qassem Solejmani, është deklaruar e pafajshme në seancën e së premtes, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për këto veprime, Berisha nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, njofton Gazeta Sinjali.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special, Afrim Shefkiu, e akuzuara ka deklaruar se e kupton aktakuzën dhe se nuk e ndien veten fajtore. “E kam kuptuar aktakuzën, ndihem e pafajshme”, tha ajo.

Ndërsa, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama e njoftoi të akuzuarën se brenda afatit prej 30 ditësh ka të drejtë të paraqes kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërkaq, shqyrtimi i dytë pritet të mbahet me 3 dhjetor 2020, në ora 09:30.

Prokuroria Speciale njofton se e pandehura I.H., më 04.01.2020, përmes rrjetit social “Facebook” në llogarinë në emër të saj, me paramendim dhe me dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane të Qassem Solejmanit, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi, në atë mënyrë që ka postuar tekstin si në vijim:

“Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran, dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”, dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Me këto veprime e pandehura I.H. ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Gazeta Sinjali/