Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.
Përmes një postimi, Kurti theksoi se Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, të përfshira në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve si të drejta të patjetërsueshme, kanë shërbyer si frymëzim për botën demokratike.
Ai vlerësoi se populli i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta, ndërsa theksoi se rrugëtimi i vendit drejt lirisë dhe pavarësisë është i lidhur ngushtë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Sipas Kurtit, këmbëngulja dhe sakrifica e popullit të Kosovës për liri e pavarësi u shoqëruan nga ndihma amerikane, duke e bërë partneritetin mes dy vendeve të veçantë.
“Dje në mbrëmje isha i nderuar të marr pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve në Ambasadën Amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj SHBA-ve për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, ka shkruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!