Dy persona janë vënë në pranga nga Policia në Vaun e Dejës, nën dyshimet për kultivim të bimëve narkotike. Të arrestuarit janë vëlla e motër, të identifikuar si Agetina Pepaj dhe Pal Pepaj.
Sipas Policisë, ata dyshohen për kultivimin e 308 bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa në fshatin Kroni i Madh.
“Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.”
Policia bën të ditur se kontrollet në terren po vijojnë në gjithë qarkun Shkodër për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!