image Ekskluzive | Tetë rrënjë kanabis pas shtëpisë, i dyshuari "u zhduk" para se t’i shkonte Policia te dera në Soponicë të Kaçanikut

Sinjalizime

Ekskluzive | Tetë rrënjë kanabis pas shtëpisë, i dyshuari “u zhduk” para se t’i shkonte Policia te dera në Soponicë të Kaçanikut

news image

Ajo që nisi si një informacion operativ i antidrogës, përfundoi me zbulimin e tetë bimëve të kanabisit dhe një person në arrati.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj kishin siguruar informacione se në oborrin e një shtëpie në fshatin Soponicë të Kaçanikut po kultivoheshin bimë narkotike.

Pas verifikimeve, Policia ka zbarkuar në pronën e Lirim Tushës rreth 25 vjeç, por personi që kërkohej nuk ishte askund.

Gjatë kontrollit të shtëpisë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Megjithatë, në pjesën e pasme të oborrit, hetuesit kanë hasur në tetë vazo me bimë të mbjella të llojit Kanabis Sativa, me gjatësi nga 10 deri në 40 centimetra.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar bimët e dyshuara narkotike, si dhe shishe plastike që dyshohet se përdoreshin për ujitjen e tyre.

Me autorizim të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Ferizaj, ndaj Tushës është iniciuar procedurë për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Ndërkohë, i dyshuari vazhdon të mos gjendet dhe kërkohet nga autoritetet.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/