image Kina hedh poshtë planin e OBSH-së për studimin e origjinës së COVID-19

Botë

Kina hedh poshtë planin e OBSH-së për studimin e origjinës së COVID-19

news image

Kina hodhi poshtë të enjten një plan të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për një fazë të dytë të një hetimi mbi origjinën e koronavirusit, i cili përfshin hipotezën që mund të kishte “shpëtuar” nga një laborator kinez, tha një zyrtar i lartë i shëndetit, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas Reuters, OBSH këtë muaj propozoi një fazë të dytë të studimeve mbi origjinën e koronavirusit në Kinë, duke përfshirë auditimet e laboratorëve dhe tregjeve në qytetin e Wuhan, duke kërkuar transparencë nga autoritetet.

Ne nuk do të pranojmë një plan të tillë të kërkimit të origjinës pasi ai, në disa aspekte, shpërfill mendjen e shëndoshë dhe sfidon shkencën”, ka thënë para gazetarëve Dr. Zeng Yixin, zëvendës-ministër i Komisionit Kombëtar të Shëndetit.

Dr. Zeng tha se ai u befasua kur lexoi për herë të parë planin e OBSH-së sepse rendit hipotezën se një shkelje kineze e protokolleve laboratorike kishte shkaktuar rrjedhjen e virusit.

Ndërkohë siç vë në pah mediumi në fjalë, kreu i OBSH-së tha më herët në korrik se hetimet mbi origjinën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 në Kinë po vështirësoheshin nga mungesa e të dhënave të para në ditët e para të përhapjes atje.

Por, Dr. Zeng përsëriti qëndrimin e Kinës se disa të dhëna nuk mund të ndahen plotësisht për shkak të shqetësimeve të privatësisë.

Ne shpresojmë që OBSH të rishikojë seriozisht konsideratat dhe sugjerimet e bëra nga ekspertët kinezë dhe të trajtojë me të vërtetë gjurmimin e origjinës së Covid-19 si një çështje shkencore, dhe të shmangë ndërhyrjet politike”, tha Dr Zeng.

Ai shtoi se Kina ishte kundër politizimit të studimit.

Ndryshe, origjina e virusit mbetet e kontestuar midis ekspertëve.

Rastet e para të njohura u shfaqën në qytetin qendror kinez të Wuhan në dhjetor të vitit 2019.

Virusi besohej të kishte arritur te njerëzit nga kafshët që shiteshin për ushqim në një treg të qytetit.

Ndërkohë në maj, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi ndihmësit për të gjetur përgjigje në pyetjet mbi origjinën, duke thënë se agjencitë e inteligjencës amerikane po ndiqnin teori rivale potenciale duke përfshirë mundësinë e një aksidenti laboratorik në Kinë.

/GazetaSinjali/