Komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Franco Federici, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Federici ka njoftuar se KFOR ka shtuar patrullat përgjatë rrugëve kryesore të bllokuara nga barrikadat në veri dhe ka zhvilluar bisedime me palët e përfshira.
“KFOR -i ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në terren duke shtuar patrullat përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të bllokuara dhe duke vendosur njësitë e tij në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB -së të vitit 1999. KFOR gjithashtu ka zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira për ndërprerjen e protestave në Kosovën Veriore”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas KFOR-it, këto masa kanë për qëllim përshkallëzimin sa më të shpejt të situatës në veri.
“Masat e miratuara, të diskutuara më parë nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha Institucionet në Kosovë dhe me kryetarët e Komunave të veriut, kanë për qëllim favorizimin e një përshkallëzimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/