KFF Mitrovica është shpallur kampione në Kupën e Kosovës për edicionin 2020/21, raporton Sinjali Sport.
Pak ditë pasi u kurorëzuan me titullin e kampionit në Ligën e Femrave, futbollistet e Mitrovicës iu gëzuan edhe trofeut të dytë për këtë stinor, pasi në finalen e zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me lehtësi e mundën skuadrën Kosova VR (P), me rezultat bindës 6:0.
Për Mitrovicën ky është suksesi i katërt radhazi në këtë garë, e po aq trofe ka fituar edhe në kampionat, duke e vazhduar mbizotërimin në futbollin e femrave në katër vitet e fundit.
Tre gola për Mitrovicën i shënoi Kaltrina Biqkaj(12’, 32’ e 62’), me dy gola kontribuoi Donjeta Halilaj (6’ e 70’), derisa një gol e realizoi edhe Edona Kryeziu (65’).
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut morën pjesë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe njëherësh anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi dhe menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi-Uka.