Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, s’do të ketë ujë në disa zona të Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një njoftimi në Facebook, kjo kompani ka njoftuar orarin e reduktimeve për këto zona:
Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graëanica dhe Veterniku.
Ndërsa, duke filluar nga ora 12:00-16:00 reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania , Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.
Me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.
“Pra, kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit. Deri në njoftimin e radhës, mbetemi me këto reduktime”, thuhet në komunikatën e tyre.