Deri në 15 milionë paund do të arrijnë në total shpërblimet e lojtarëve të Mançester Cityt në rast të një triumfi në Champions League këtë sezon.
“Qytetarët” janë një nga favoritët për ta siguruar një biletë për në çerekfinale pas suksesit 2:1 në Madrid në ndeshjen e parët të 1/8-ave. Dhe në rast se sot do ta eliminojnë Realin, atëherë në çerekfinalen në Lisbonë më 15 gusht do të gjejnë Juventusin ose Lyonin.
Por, disa nga yjet e skuadrës, si Kevin de Bryjne, Serxho Aguero apo David Silva, pritet të marrin një shpërblim të jashtëzakonshëm në rast se do ta ngrenë trofeun për herë të parë në historinë e klubit.
City nuk ka një strukturë bonusesh të barabartë mes skuadrës. Shpërblimet e futbollistëve përcaktohen individualisht në kontratat e tyre. Dhe ato nisin nga 400 mijë paund për lojtar, deri në 1 milion paund.
Championsi është i vetmi trofe që Guardiola nuk ka fituar në “Etihad” dhe ai nuk ka shkuar përtej fazës çerekfinale në 3 sezone. Megjithatë, këtë vit skuadra e tij konsiderohet favorite për të triumfuar në Lisbonë, së bashku me Bayernin e Munihut. Kështu që, kënaqësia për ta siguruar trofeun historik të Ligës së Kampioneve për “Qytetarët” do të motivohet edhe prej shpërblimeve marramendëse që klubi milioner ka vendosur për yjet e tij. /Sinjali Sportiv