Procesi zgjedhor përfundon pas certifikimit të zgjedhjeve, akt i cili bëhet pas shqyrtimit të ankesave të mundshme dhe marrjes së vendimeve nga ana e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.
I gjithë ky proces mund të përmbyllet brenda një afati kohor prej nëntë ditësh.
Nisma-AKR-PD kanë deklaruar se rezultati i shpallur nga KQZ është i fabrikuar dhe për këtë do të ankohen.
Afati për ankesa sipas ligjeve të vendit është 24 orë, pas procedimit të ankesave në PZAP, ky organ i ka në dispozicion 72 orë (tri ditë) për t’i shqyrtuar ato dhe për t’i nxjerr vendimet.
Në rast se PZAP nuk merr vendim në favor të ankuesve, atëherë këta të fundit kanë të drejtë brenda 24 orëve të ardhshme t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
Më pas, Gjykata i ka tri ditë, apo 72 orë afat që të marrë vendime në lëndët e pranuara nga të ankuarit.
Pas kësaj, KQZ duhet të pres edhe 24 orë tjera për të parë nëse dikush inicion ose jo ankesë të re.
Kështu, i gjithë procesi do të marrë tetë ditë kohë. Në ditën e nëntë mund të certifikohen rezultatet vetëm në rast se nuk do të ketë ndonjë vendim në favor të ndonjë ankuesi.
Se procesi i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve mund të marrë kohë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me këto rezultate. Fillimisht ankesat mund të paraqiten në PZAP dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme. Ne gjithashtu duhet të presim vendimmarrjen e tyre, të veprojmë në përputhje me këto vendime, nëse e obligojnë KQZ-në, në mënyrë që pastaj të mund të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në fund, pasi KQZ-ja merr vendim për certifikimin e rezultateve e njofton Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Elezi.
Çfarëdo ankese do ta zgjaste afatin e certifikimit të zgjedhjeve edhe për disa ditë të tjera.
Dhe tek pasi të jenë përmbyllur të gjitha lëndët, KQZ e harton raportin final dhe bën certifikimin e rezultateve.
Raporti i dërgohet presidentit të shtetit dhe ky i fundit është i obliguar që brenda 30 ditëve ta thërras mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. /Gazeta Sinjali/