Në Prizrenit dhe në Pejë pritet konkurrencë më e madhe për të fituar ulësen e kryetarit të Komunës, vende këto në të cilat janë nga nëntë kandidatë për kryetarë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Kështu është thënë sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhje ku ndër të tjera u bë e ditur se deri më 17 gusht, për regjistrim si votues jashtë vendit, janë pranuar 10 mijë e 638 aplikime të cilat janë në shqyrtim dhe afati për këtë proces përfundon sot në mesnatë.
Ylli Buleshkaj nga Zyra për regjistrimin e partive politike dhe certifikim tha se janë në shqyrtim të aplikacioneve të subjekteve politike për t’u certifikuar për zgjedhjet e 17 tetorit, për të cilat tha se 99% e tyre kanë pasur nevojë për plotësime.
“Ka komuna në të cilat duket do të ketë konkurrencë të madhe për ulësen e kryetarit të komunës ato, sipas të dhënave të tanishme, janë Komuna e Pejës dhe Prizrenit me nga nëntë kandidatë, ndërsa të dyja këto komuna i kanë nga 14 në 12 subjekte politike të cilat kanë treguar interes për të garuar për ulëse në Kuvendet Komunale të tyre, konkurrenca më e madhe në Kosovë duket që do të jetë në këto dy komuna, edhe pse Prishtina është kryeqytet dhe ka numrin më të madh të ulëseve në Kuvend Komunal.”
“Ndërsa komunat që ka më pak interes, kushtimisht ta themi për ulësen e kryetarit të komunës është Vitia, Han i Elezit dhe Ranillugu me nga dy aplikacione, si dhe komunat e tjera për Kuvende Komunale që kanë pak interes është komunën e Ranillugut me dy subjekte politike të ciklat garojnë për ulëse në këto kuvende komunale”, ka thënë ai.
Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, ka thënë se nga 10 mijë e 638 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit, 9 mijë e 652 janë aprovuar derisa sekretariati do të vazhdojë pranimin e aplikimeve deri në mesnatën e së mërkurës.
“Periudha e cila ka filluar më 10 korrik dhe pritet të mbyllet sot në orën 00:00, pra para mesnatës, është periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë vendit. Raporti ynë është i datës 17 gusht të orës 20:00 dhe deri në atë periudhë kanë aplikuar 10 mijë e 638 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, të gjitha këto aplikime janë përmes e-mailit zyrtar të cilat ka publikuar KQZ.“
“Pra, 10 mijë prej 638 aplikacioneve të pranuara për regjistrim, prej tyre 9 mijë e 652 aplikacione janë të aprovuara. Sekretariati edhe sot do të vazhdojë me pranimin e aplikacioneve deri në mesnatë dhe do t’i trajtojë të gjitha kërkesat”, ka thënë ai.
Ahmetaj bëri të ditur se kanë pranuar 2 mijë e 670 kërkesa përmes platformës online, kërkesa për ndërrim të qendrave të votimit, ndërsa 300 kërkesa janë parashtruar përmes formularëve të aplikimit.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se qytetarët në Kaçanik dhe Han të Elezit, të cilët kanë shtetësi edhe të Maqedonisë së Veriut, përveç të Republikës së Kosovës, do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votimit në dy shtetet më 17 tetor, meqë zgjedhjet lokale do të mbahen në të njëjtën datë edhe në vendin fqinj.
Gjithashtu sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimet për refuzimin e aplikacioneve për regjistrim për votim jashtë Kosovës, të pranuara nga Mali i Zi, të cilat janë vlerësuar të dyshimta./Gazeta Sinjali/