image Këta janë të rinjtë problematikë që u ballafaquan me armë me policët në Vranjevc – Disa njësi intervenuan për t’i vënë nën kontroll

Ekskluzive

Këta janë të rinjtë problematikë që u ballafaquan me armë me policët në Vranjevc – Disa njësi intervenuan për t’i vënë nën kontroll

news image

Para dy netësh, në lagjen “Kora e Trimave” në Prishtinë, zyrtarët policorë patën një ballafaqim me dy të rinj, njëri prej të cilëve dyshohet se tentoi t’i vras. Gjithçka ndodhi derisa dy të dyshuarit ishin në një veturë dhe morën urdhër për t’u ndalur. Urdhri u shpërfill dhe u deshën disa njësi të Policisë të arrijnë në vendin e ngjarjes për ta marrë situatën nën kontroll. Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e dy të dyshuarve dhe detaje nga rasti që ndodhi më 15 mars.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u ndaluar për këtë rast janë Mubarek Raifi, 23-vjeçar dhe Ibrahim Raifi, 21-vjeçar.

Gjuajtje me armë zjarri, grushte e tentim për t’i goditur me veturë – Si ndodhi ngjarja

Në mbrëmjen e 15 marsit, dy zyrtarët policorë E.B., dhe L.H., (emra të njohur për redaksinë) ishin duke patrulluar në këmbë, me rroba civile, kur u përballën me dy të rinjtë “kapadai”, raporton Sinjali.

Policët u prezantuan si zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe urdhëruan të dyshuarin Mubarek Raifi që voziste veturën të ndalej. Përveçse nuk u ndal, burimet e Sinjalit bëjnë me dije, se ai dyshohet se edge i sulmoi dy zyrtarë policorë, të cilët fillimisht tentoi t’i godas me veturën e tij të tipit BMW.

Por nuk mbaroi me kaq. Në ato momente Mubarek Raifi nxjerr armën e zjarrit dhe gjuan në drejtim të policit L.H., i cili po ashtu dyshohet se nga një distancë e shkurtë ka shtënë në drejtim të të dyshuarit.

Policët kanë arritur ta kapin 23-vjeçarin, por patën një ballafaqim edhe me mikun e tij, të dyshuarin tjetër Ibrahim Raifin. Ky i fundit, që tentoi t’i dalë në krah Mubarekut, dyshohet se sulmoi fizikisht policët, me ç’rast ka goditur me grusht dy zyrtarë policorë të tjerë SH.B., dhe G.M., duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Për shkak të rastit dhe ballafaqimit me të rinjtë problematikë, për ta vënë situatën nën kontroll, në vendin e ngjarjes kishin arritur njësi të tjera të Policisë.

Arma e përdorur në këtë rast dhe pesë fishekë janë sekuestruar nga Policia dhe dy të dyshuarit janë dërguar në stacion, ku janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajte për 48 orë.

Mubarek Raifi dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontrollim ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Ibrahim Raifi dyshohet për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është planifikuar të fillojë në orën 13:30, ku Gjykata Themelore në Prishtinë, pritet të marrë vendim për kërkesën e Prokurorisë që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.

Sipas Kodit Penal, personi që tenton të kryej vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.   

“Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili privon nga jeta personin tjetër zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare”, thuhet në nenin 173 për vrasje të rëndë.

Ndërsa sipas nenit 28, ”Kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale.”

“2. Tentativa për të kryer vepër penale për të cilën mund të shqiptohet dënimi me tre ose më shumë vjet burgim dënohet. Tentativa për të kryer ndonjë vepër penale tjetër, dënohet vetëm nëse shprehimisht parashihet me ligj.

3. Personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/