Gazeta Sinjali dje ka raportuar se është arritur që të identifikohet një person i dyshuar për vjedhje në një qendër tregtare në Deçan. I njëjti pas arrestimit ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe është dërguar në mbajtje. Por pos tij, është identifikuar edhe një tjetër person i dyshuar.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se dy të rinjtë që dyshohen se kanë kryer vjedhje në qendrën tregtare ‘Centrum’, janë Zeqir Mulaj 22-vjeçar dhe Fatlind Maksutaj 19-vjeçar.
Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, Mulaj e ka pranuar se ka kryer vjedhje edhe në një qendër tregtare në Deçan, ku ka vjedhur një gjenerator dhe tri bombola të gazit. Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Edhe Maksutaj e ka pranuar se ka kryer vjedhje në të njëjtën qendër, ku kishte marrë një gjenerator. Po ashtu ai ka deklaruar se ka kryer vjedhje edhe në një restorant, ku ka marrë disqet e një veture bashkë me gomat dhe aparatin për larjen e veturave. 19-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Me urdhër të prokurorit ndaj dy të dyshuarve veç e veç është iniciuar rasti për veprën ‘Vjedhje në tentativë’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.