Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar lidhur me dyshimet për helmim të zyrtarëve të KQZ-së, duke kërkuar të mos dilet me vlerësime dhe konstatime të ngutshme.
KMDLNJ ka sygjeruar që të priten rezultatet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, si dhe rezultatet e hetimeve nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që janë të vetmet institucione kompetente që mund të dalin me një konstatim të saktë për këto dyshime.
“Çdo interperetim tjetër, i cilësdo palë konsiderohet si spekulim sepse nuk është i mbështetur në fakte dhe se nuk duhet të lejohet që këtij rasti t’i ipet një konotacion politik . Prandaj, KMDLNJ thërret palët që të përmbahen nga vlerësimet dhe konstatimet për një çështje që është jashtë kompetencave të tyre dhe të presin rezultatin e hetimeve dhe atyre laboratorike dhe toksikologjike të cilat nuk vonohen më shumë se 4-5 ditë.Dihet se kush i ka sjellë ato kuti prandaj është një adresë e përgjegjësisë në rast se vërtetohet se bëhet fjalë për helmim” ka thënë Këshilli përmes një reagimi për medie.
KMDLNJ ka reaguar edhe për deklaratën e ish deputetes Rada Trajkoviq, e cila dje deklaroi se Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit po u rrezikohet jeta nga krahu i luftës që i ka humbur zgjedhjet.
Këshilli thekson se kjo është deklaratë qëllimkeqe , përçarëse, pa u mbështetur në asnjë fakt të vetëm por se bartë një porosi të rrezikshme për nxitjen e konfliktit midis fituesve të zgjedhjeve LVV dhe LDK dhe atyre që pësuan në zgjedhje.
Nëse Rada Trajkoviq ka fakte që e mbështetin dyshimin dhe “ shqetësimin“ e saj për rrezikim të jetës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, atëherë adresë ku duhet të drejtohet është Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Në rastin konkret, KMDLNJ mendon se Prokuroria e Shtetit duhet ta thërrasë për dëgjim zonjën Trajkoviq pas së cilës do të fillonte hetimet, ose ndaj atyre që sipas Rada Tarjkoviqit po e rezikuakan jetën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ose ndaj Rada Trajkoviqit. /Gazeta Sinjali/