Këshilli i Bashkimit Evropian u kërkon vendeve anëtare të BE që të hapin sa më parë që të jetë e mundur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ky këshill i ka dërguar një letër pune në datën 5 maj delegacioneve të vendeve të BE-së, përpara mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të BE, përmes së cilës kërkon që Tiranës dhe Shkupit t’u jepet drita jeshile.
Po ashtu sipas Këshillit të BE, duhet të ruhet vrulli i reformave në këto dy vende dhe të ecet përpara me integrimin evropian.
“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vetë procesi i pranimit në BE ka siguruar nxitje më të fortë për reformat dhe si e tillë, më shumë demokraci, stabilitet dhe prosperitet për popujt përkatës. Tani është thelbësore që negociatat e pranimit të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ecim përpara, së bashku me ruajtjen e vrullit të reformave në dy vende’’, thuhet në paragrafin 21.2 të kësaj letre, raporton TCH, përcjell Gazeta Sinjali.
Këshilli i BE konstaton se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndihet një sens i zhgënjimit të thellë në procesin e zgjerimit. Një prej faktorëve, sipas këtij këshilli, është mungesa e vendimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pastaj pasiguria në dialogun Kosovë – Serbi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit.
“Sot, ne duhet të pranojmë që pavarësisht nga angazhimi i palëkundur ndaj BE-së, integrimi dhe nivelet e pashembullta të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE, përfshirë edhe përballjen me pandeminë COVID-19 – njerëzit në rajon po përjetojnë një sens të zhgënjimit të thellë në procesin e zgjerimit.”
“Faktorët kryesorë janë: mungesa e vendimeve, hapat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas hapjes së vendimit të Këshillit të Marsit 2020 për negociatat e pranimit; ritmi i ngadaltë i përparimit në rrugën e BE në Serbi dhe Mal të Zi, në zbatimin e përparësive kryesore për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në Kosovë dhe pasiguria në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi. Një perceptim i dorëzimit të vonuar në BE të vaksinave COVID-19 ka ushqyer më tej një rrëfim të zhgënjimit”, thuhet në paragrafin 4./Gazeta Sinjali/