Dje, Policia e Kosovës arrestoi drejtorin e përgjithshëm të sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqit dhe asistenten e tij, Marigona Berisha, shkruan Gazeta Sinjali.
Me urdhër të prokurorit ata u ndaluan për 48 orë.
Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit dhe Berishës.
Sipas njoftimit të prokurorisë, Krasniqi dhe asistentja e tij dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të KPRK-së, si dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave me inicialet L.K., dhe M.B., në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në drejtim të veprave penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 të KPRK-së, ‘Ushtrimi i ndikimit’, nga neni 424 të KPRK-së, ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’, nga neni 380 të KPRK-së dhe ‘Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale‘, nga neni 377 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./Gazeta Sinjali/