image Kërkohet paraburgim për konsumuesin e heroinës që dyshohet se e dhunoi 13-vjeçaren në Gjakovë - Sinjali

Kërkohet paraburgim për konsumuesin e heroinës që dyshohet se e dhunoi 13-vjeçaren në Gjakovë

news image

Gazeta Sinjali sot ka raportuar ekskluzivisht për arrestimin e të dyshuarit për dhunimin e 13-vjeçares në Gjakovë, Shëndrim Llollunit. I riu që u arrestua për këtë rast u kap po ashtu në flagrancë teksa konsumonte heroinë në tualetin e marketit ‘Viva Fresh’ në rrugën ‘UÇK’ në Gjakovë.

Pas ndalimit prej 48 orësh, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit si i dyshuar për veprën penale “dhunimi”. Këtë e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Prokuroria.

Llolluni pritet që nesër të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për masën e sigurisë që do t’i caktohet të dyshuarit.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Sinjali raportoi ekskluzivisht se 13-vjeçarja u raportua e zhdukur nga prindi i saj të hënën e 2 majit, ndërsa u gjet në Junik nga familjarët e saj, e më pas u zbulua që ajo ishte shfrytëzuar seksualisht nga një 34-vjeçar, veprim ky që sipas Prokurorisë përbën veprën penale të dhunimit, raporton Gazeta Sinjali.

Kujtojmë se nga deklarimi i prindit të 13-vjeçares, Policia kishte kuptuar se para denoncimit ai e kishte kërkuar vajzën e tij në disa lokacione, por që nuk kishte arritur ta gjejë. Më tutje ai kishte deklaruar se nuk ishte hera e parë që vajza e tij ishte larguar nga shtëpia dhe për këtë kërkonte ndihmën e Policisë.

I dyshuari konsumues i heroinës

Llolluni bashkë me një person tjetër janë kapur në flagrancë duke u ‘shpricatur’ në tualetin e marketit “Viva Fresh”, në rrugën “UÇK” në Gjakovë.

Të dytë u kapën nga sigurimi i marketit dhe më pas u njoftua Policia, të cilët bashkë me Antidrogën e sekuestruan shiringën e përdorur nga të dyshuarit dhe drogën e mbetur.

Pasi u dërguan në stacion, dy të dyshuarit e kanë pranuar se janë konsumues të substancave narkotike dhe kanë shprehur pendimin se këtë e kanë bërë në vend publik.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin