image Kërkohet paraburgim për dy policët e dyshuar për rrahjen dhe keqtrajtimin e 16-vjeçarit nga Peja

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për dy policët e dyshuar për rrahjen dhe keqtrajtimin e 16-vjeçarit nga Peja

news image

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit ndaj E. Lajçit dhe A. Bacajt, dy zyrtarëve policorë të dyshuar për keqtrajtimin dhe lëndimin trupor të 16-vjeçarit nga Peja, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy policëve të dyshuar për veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe ‘lëndim i lehtë trupor'”, tha Nikçi.

Dy policët në fjalë u arrestuan dy ditë më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Arrestimi i zyrtarëve policorë dhe suspendimi i tyre ndodhi pasi 16-vjeçari u ankua për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, në një incident ku ishte përfshirë ai, që kishte ndodhur më 17 korrik në Pejë.

Rasti i zyrtarëve policorë nga Peja nuk është i vetmi që mbi zyrtarët policorë rëndojnë dyshime serioze për abuzim me kompetencat dhe autorizimet e tyre si dhe për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.

Kujtojmë se në Gjilan është në pritje të fillojë gjykimi për ish-komandantin e policisë në Gjakovë, Krist Gjoka dhe disa zyrtarëve të tjerë.

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme publikoi rrëfimin ekskluziv të babait të 16-vjeçarit lidhur me rastin në fjalë./Gazeta Sinjali/