image Kërkohet paraburgim ndaj personit që mashtroi 120 qytetarë duke iu premtuar viza

Drejtësi

Kërkohet paraburgim ndaj personit që mashtroi 120 qytetarë duke iu premtuar viza

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj Sh.C., i dyshuar se ka kryer veprën penale mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.

Ai dyshohet se ka mashtruar 120 persona, duke iu premtuar se do t’u siguronte viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se deri më tani nga kjo çështje janë shkaktuar dëme në vlerë mbi 500 mijë euro.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se Sh.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, për të cilin rast prokuroria ka njoftuar opinionin publik, i njëjti, në bashkëkryerje me disa persona, ka mashtruar 120 persona, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur, kështu duke i mashtruar të dëmtuarit kinse për t’iu siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave, për të cilat shërbime të aplikimit, përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’rast të dëmtuarve u kanë shkaktuar dëm material”.

Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se prokurori i çështjes është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore dhe trajtimin e rastit në fjalë.

/GazetaSinjali/