Organizata “GERMIN” ka drejtuar ankesë tek organi i pavarur për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me 1806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga diaspora.
Pëmes një komunikatë për media kjo organizatë ka bërë të ditur që në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, KQZ duhet t’i numëroj 1.806 pakot e mbetura me fletëvotime të ardhura përmes postës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo organizatë thotë se gjatë vëzhgimit të verifikimit dhe numërimit të pakove me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës pas datës 5 tetor, vëzhguesit e kësaj organizate kanë vërejtur se KQZ-ja nuk po e zbaton plotësisht vendimin e Gjykatës Supreme, lidhur me pranueshmërinë e votave nga jasht Kosovës.
“KQZ nuk i ka procesuar fare 1.806 pako me fletëvotime nga diaspora të cilat kanë arritur mes datës 11 tetor 2019, ditën kur është ushtruar ankesa ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka sjellë deri tek vendimi i Gjykatës Supreme për pranueshmërine e fletëvotime të ardhura me postë pas ditës së zgjedhjeve, dhe deri më datën 17 tetor 2019″, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas kësaj organizate, 1.806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit janë refuzuar pa kaluar asjnë procedurë verifikimi. Të gjitha këto pako janë nisur si dërgesa postare para afatit përfundimtar për dërgimin e pakove postare të vendosur nga KQZ-ja, përkatësisht nga data 19 shtator deri më datën 5 tetor 2019, gjë që mund të vërtëtohet në bazë të vulës postare në datën e nisjes.
Gjithashtu, 1.806 pakot në fjalë kanë ardhur në KQZ përpara se të nisej verifikimi dhe numërimi i 4.639 të tjerave që ishin objekt i ankesës së parë të LVV-së, e cila do të thotë se përfshirja në numërim e 1806 pakove të reja nuk do të kishte vonuar procedimi i pakove të tjera.
“Të gjitha 1.806 pakot e panumëruara janë nisur përpara datës së zgjedhjeve. Përkatësisht, janë dorëzuar me postë nga data 19 shtator deri më 5 tetor 2019. Rrjedhimisht, sipas arsyetimit të kësaj Gjykate, edhe ato “duhet të trajtohen sikur kanë arritur në KQZ brenda afatit të pranueshëm” dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtit proces të verifikimit dhe numërimit, në mënyrë të barabartë me të tjerat”, thuhet në një komunikatë të organizatës.
Sipas tyre 1.806 pakot me fletëvotime janë po aq të vlefshme sa 4.639 pakot e tjera të numëruara tashmë nga KQZ dhe duhet të procesohen, pa vonesë. /Gazeta Sinjali/