Mbjelljet pranverore, tashmë kanë filluar në gjithë vendin, edhe pse ky proces është vonuar paksa, si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës së prillit.
Kështu thonë nga Federata Sindikale e Bujqve, të cilët kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë që sa më parë të ndahet kësti i dytë i subvencioneve të vitit të kaluar dhe të bëhet kompensimi i bujqve të dëmtuar.
Reshjet e shiut por edhe ato të borës së fillimprillit dhe lagështia e krijuar nga to kanë bërë që procesi i mbjelljeve pranverore në vendin tonë të vonohet paksa.
Këtë e pohon edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, i cili në një prononcim për televizionin publik tregon se me përmirësimin e kushteve mbjelljet po vazhdojnë.
“Me sa i kemi informacionet nga tereni, deri tash shumë pak raste ka që e kanë përfunduar mbjelljen e patates, tërshërës apo edhe që kanë filluar mbjelljen e misrit. Kuptohet, për mbjelljen e perimeve në sipërfaqe të jashtme ende nuk ka mundësi, përveç atyre të cilët kultivojnë brenda në sera. Pjesa e Dukagjinit tashmë ka kultivuar lloje të ndryshme të perimeve brenda në sera”, tha ai.
Tahiri, tutje thotë se po përmirësohen kushtet për mbjelljet pranverore. Ndërkohë, përderisa shprehet i pakënaqur me udhëheqjet e kaluara të Ministrisë së Bujqësisë, ai kërkon nga kjo ministri që sa më parë të ndajë këstin e dytë të subvencioneve të vitit të kaluar dhe të bëjë kompensimin e bujqve të dëmtuar.
“Tani për tani bujqit kanë nevojë shumë të madhe për këstin e dytë të subvencioneve dhe ata të cilët kanë qenë të dëmtuar, është mirë të marrin 25% e dëmit që u është premtuar. Ato që janë premtuar është dashtë dhe duhet t’u jepet bujqve, sepse ju duhen tashmë për mbjelljet pranverore, si për sigurimin e materialeve, farës dhe plehrave”, tha ai.
Ministria e Bujqësisë prej vitesh ndanë subvencione e grante, por, ekspertë të bujqësisë vlerësojnë se këto nuk kanë dhënë mjaftueshëm efekt.
Ndërkohë, shumë bujq, shpesh janë ankuar edhe publikisht se për sigurimin e tyre u është kërkuar ryshfet. E për marrje e dhënie ryshfeti për të siguruar grante e subvencione nga Ministria e Bujqësisë, më 24 shkurt të këtij viti, në aksionin “Subvencioni 2021” janë arrestuar 12 persona dhe konfiskuar mbi 400 mijë euro, vetura, telefon e armë./Gazeta Sinjali/