image Kurti: Në mbledhjen e sotme ndamë 1.7 milion euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi

Politikë

Kurti: Në mbledhjen e sotme ndamë 1.7 milion euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës  ka miratuar 23 projektligje dhe 1.7 milion euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeministri Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në secilën mbledhje po përmirësojmë dhe avancojmë kornizën tonë ligjore duke miratuar projektligje të reja dhe plotësuar e ndryshuar ato aktuale”.

Sot kemi miratuar plot 23 projektligje. Tre sosh që rregullojnë të drejtën e pronësisë industriale dhe përcaktojnë standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e turizmit, kurse 19 tjera janë harmonizuar me Ligjin për Kundërvajtje për të mundësuar zbatimin e plotë të sanksioneve kundërvajtëse në institucionet bujqësore. Një projektligj me rëndësi të veçantë e që e miratuam sot është ai i marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti. Përmes këtij projektligji do të avancojmë diplomacinë ushtarake në funksion të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare sikurse ajo e Kartës së Adriatikut”, ka shkruar Kurti.

Kurti gjithashtu ka thënë se për dëmet në bujqësi që janë shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore kanë ndarë edhe 1.7 milionë euro në 29 komuna.

Ky është vendimi ynë i dytë për kompensimin e dëmeve të fatkeqësive natyrore. Deri më tani kemi ndarë 3 milionë euro për këtë qëllim. Ndërkaq përkrahja për fermerët në këtë vit kalendarik ka arritur vlerën mbi 50 milionë euro”.

Ai gjithashtu thotë se kanë shfuqizuar vendimin për vazhdimin e mandatit të kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut.

“Në këtë mbledhje të 45-të bëmë edhe përgatitjet e fundit për mbledhjen e shtatë të përbashkët të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë duke i rekomanduar Presidentes së vendit autorizimin e nevojshëm për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për sigurimet shëndetësore”.

Nesër vazhdojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të prezantuar, diskutuar dhe miratuar Buxhetin për vitin 2022, për t’u angazhuar çdo ditë e më shumë në zbatimin e programit qeverisës dhe plotësimin e zotimeve tona para qytetarëve”, ka shkruar Kurti. /GazetaSinjali/