Vizita e përbashkët e Zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Matthew A. Palmer dhe përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, sipas burimeve diplomatike në Bruksel është bërë për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dy zyrtarët po qëndrojnë në Kosovë, në prag të rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me ta tha se bashkëpunimi dhe koordinimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, “është i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.
Është paralajmëruar se Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të takohen kah mesi i qershorit. Arsyeja e vizitës së përbashkët të Lajçakut dhe Palmerit merret vesh se është edhe përgatitja e takimit Kurti-Vuçiq.
Kurti sot tha po ashtu se dialogu “duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme”.
Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Lajçakun dhe Palmerin tha se në procesin e dialogut me Serbinë, për Kosovën është thelbësore që të respektohet integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.
“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime, dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani, duke shtuar se çështja e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet të jetë prioritet në dialog.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Lajçak dhe Palmer “e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Lajçak dhe Palmer takuan sot gjatë ditës u takuan edhe me krerët e dy partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku, të cilët kanë kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas një komunikate për media nga Partia Demokratike e Kosovës, Hoxhaj në takim ka sqaruar pozicionin e PDK-së karshi dialogut, me theks të veçantë me pritjet e kësaj partie që ky proces të përfundojnë me njohje të ndërsjelltë.
Ndërsa në njoftimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet se kryetari Abdixhiku ka thënë në takim se SHBA-ja është partnerja më e fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog”, thuhet në njoftim.
Edhe Ambasada Amerikane në Kosovë ka reaguar pas vizitës së zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në Kosovë.
Përmes një postimi, ambasada është shprehur se Palmer pati një takim konstruktiv me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, dhe me liderët kosovarë.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011.
Procesi, i cili disa herë është vënë në pauzë, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.