image Kërcënohet kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini - Sinjali

Kërcënohet kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

news image

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është kërcënuar gjatë ditës së sotme nga një qytetar, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se i dyshuari është prangosur dhe i është caktuar masa e ndalimit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Gjakovës. Sipas Policisë, rasti është denoncuar nga zyrtarët komunalë.

Policia tutje bëri të ditur se janë intervistuar disa dëshmitarë, derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Mund ta konfirmojmë se rasti i kanosjes është raportuar nga zyrtarë komunal. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit të dëshmitarëve dhe të dyshuarit, me vendim të prokurorit ky i fundit është ndaluar për 48 orë. Rastit fillimisht i janë përgjigjur njësitet patrulluese dhe ato të hetimeve nga stacioni policor Gjakovë ndërsa më vonë, për shkak se viktima në këtë rast është person zyrtar rasti është transferuar në Sektorin Rajonal të Hetimeve.”

Sinjali ka kontaktuar Gjinin për të marrë një deklaratë lidhur me rastin, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, sipas Kodit Penal, kushdo që kryen veprën penale “kanosja” mund të dënohet me gjobë dhe burgim.

“1. Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

2. Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.”

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin