image Keqtrajtimi i fëmijës në çerdhe, Prokuroria konfirmon ndalimin e dy grave, kërkohet paraburgim për to

Kosovë

Keqtrajtimi i fëmijës në çerdhe, Prokuroria konfirmon ndalimin e dy grave, kërkohet paraburgim për to

news image

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se për rastin e keqtrajtimit të djalit 16 muajsh në çerdhen ‘Cambridge Kids’ në Prishtinë, janë ndaluar dy gra në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Prokurori kujdestar ka kërkuar edhe caktimin e masës së paraburgimit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë ndaluar për 48 ore dy të dyshuara të perfshira në këtë rast”, konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj për Gazetën Sinjali.

Ulaj shtoi se “prokurori kujdestar, gjatë ditës, për të njëjtat ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, si dhe janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast”.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka konfirmuar se çerdhja ‘Cambridge Kids’ në Prishtinë nuk ka licencë për punë. Madje nuk ishte bërë as kërkesë për licencim.

Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme Inspektorati i Arsimit ka marrë vendim që t’i ndërpresë veprimtarinë Kopshtit ‘’Cambridge Kids’’ derisa ky institucion të pajiset me licencë.

Pamjet kur fëmija 16 muajsh nuk i ‘bindet’ edukatores të ulet në karrocë dhe kjo e fundit i bie shuplakë në fytyrë, në prani të një fëmije tjetër dhe të një edukatore tjetër, kanë tronditur gjithë Kosovën. Skena e dhunës ndaj fëmijut nxiti tejet shumë reagime, sidomos nga prindërit. Videon e dhunës e kishte postuar nëna e fëmijut në rrjetet sociale. /Gazeta Sinjali/