image Kepërdorimet në Prokurimin Publik/ Sinjali sjellë kurdisjen e tenderit milionësh

Ekskluzive

Kepërdorimet në Prokurimin Publik/ Sinjali sjellë kurdisjen e tenderit milionësh

news image

Gazeta Sinjali ka paralajmëruar se do të vazhdojë të raportojë për kurdisjet e çmimeve dhe fituesve të tenderëve që bëhen nga drejtori i Departamentit për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhim të Ndërtesave Qeveritare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arif Daka, me qëllim që kompania e vet “Quatro Trade SH.P.K, të angazhohet si nënkontraktore.

Në vazhdën e hulumtimeve, Sinjali ju sjellë detaje për kurdisjen e një tenderi tjetër nga Arif Daka, për objektin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Gazeta Sinjali ka siguruar dëshmi se prej vitit 2017, atëkohë ende pa u shpallur fituesi për këtë tender, Daka u kujdes që përmes autoritetit kontraktues, MAP, ta kurdis tenderin dhe fituese të shpallet kompania NPSH “Dekoral”  N.N.T “A.B.C”, nga fshati Gurrakoc, që përfaqsohet nga Gani Osmanaj, e që më vonë me të lidh kontratë, ku kompania e tij të bëhet nënkontraktore e projektit.

Kompania “Quatro Trade” SH.P.K, është në emër të vajzës së Dakës, por e cila de facto menaxhohet, kontrollohet dhe administrohet nga vetë ai, duke shfrytëzuar emrin e vajzës për të maskuar gjithë marifetin e tij.

Vlera totale e ofertës nga Ministria e Administratës Publike, DSPIMNQ, si autoritet kontraktues, që ia ka ofruar kompanisë NPSH “Dekoral” N.N.T “A.B.C”, është 1.049.883.22.

Si nisi muhabeti mes “Quatro Trade” SH.P.K dhe NPSH “Dekoral” N.N.T “A.B.C”, ende pa u shpallur fituesi

Ishte ende në fazën e projektimit tenderi për KPM-në, kur Arif Daka përmes kompanisë së tij private, të cilën e menaxhon, “Quatro Trade” SH.P.K, komunikon rreth projektit dhe punëve që duhet kryer.

Pra, pikërisht në vitin 2017, ka qenë faza e projektimit, ku gjatë këtij procesi, Arif Daka, përkujdeset që t’i fut specifikat e pajisjeve përmes projektimit, në mënyrë që të përfitojë mijëra euro, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare që ka.

Nga dëshmitë që ka siguruar Sinjali, shihet se si Daka është kujdesur që cilado nga kompanitë që do të dalë fituese e tenderit, pjesa e elektrikes do t’i takojë kompanisë së tij “Quatro Trade” SH.P.K.

E siç duket ‘puna e përkushtimi’ i Dakës nuk shkoi huq, pasi me të gjitha forcat e pushtetin që ka, bëri që më 31 korrik 2018, autoriteti kontraktues, MAP, ta shpall fituese kompaninë NPSH “Dekoral” N.N.T “A.B.C” për Llot 1.

Dy muaj më vonë, më 25 shtator 2018, Arif Daka përmes emailit të tij e dërgon në një email tjetër, po ashtu të tij, paramasën me çmime nga kontrata e kompanisë “Dekoral” N.N.T “A.B.C” me Ministrinë e Administratës Publike (të cilën e kishte siguruar në departamentin ku është vetë drejtor), që më vonë të lidhë kontratë me këtë kompani.

Paramasa me çmime

Kontrata për të cilën Daka ka “punuar me mish e me shpirt” u nënshkrua më 1 tetor 2018 ndërmjet kompanisë “Dekoral” N.N.T “A.B.C” dhe “Quatro Trade” SH.P.K.

Çmimi i kësj kontrate mes “Dekoral” N.N.T A.B.C dhe Quatro Trade SH.P.K, që pasoi pas shumë keqpërdorimeve në Ministrinë e Administratës Publike, ka qenë 139.744.00

Gazeta Sinjali ka siguruar kontratën e nënshkruar mes kompanisë së Dakës “Quatro Trade” SH.P.K dhe NPSH “Dekoral” N.N.T “A.B.C”.

Daka u mor vesh që kompania e tij të kryej të gjitha furnizimet me materiale dhe për të gjitha punët e elektrikës për projektin që e fitoi “Dekorali”. Kontrata i referohet këtij të fundit si klient, e kompanisë së Dakës, punëkryerës.

Në kontratën e nënshkruar mes palëve thuhet se objekt i kontratës është furnizimi dhe instalimi i pajisjeve elektrike, IT dhe BMS për projektin “Ndërtimi i objektit Komisioni i Pavarur për Media” në Prishtinë.

Aty thuhet gjithashtu se çmimi total për shërbimet dhe pajisjet e kontraktuara është 139,744,00 euro me TVSH, duke shtuar edhe punët shtesë të miratuara nga organi mbikëqyrës, e në këtë rast këtë organ e mbikëqyrë Daka, duke u kujdesur kështu që këto punë të kryhen në vlera sa më të mëdha, të mundshme, vetëm që ai të përfitojë.

Sipas kësaj kontrate që u arrit pas shumë keqpërdorimeve nga zyrtari Daka, “Quatro Trade” SH.P.K. do ta faturonte klientin NPSH “Dekoral”  N.N.T “A.B.C” për të gjitha pajisjet dhe punët e kryera. Ndërsa pagesa për punët që u kurdisën, e të cilat do t’i kryente kompania e Dakës, do të bëhej përmes bankës.

Kontrata mes NPSH “Dekoral” dhe “Quatro Trade” SHPK

Gazeta Sinjali edhe më herët ka publikuar dëshmi për kurdisje edhe të tenderëve të tjerë nga Arif Daka, i cili me bashkëpunëtorë, shfrytëzon kompaninë që vet e menaxhon, “Quatro Trade” SH.P.K.

Për raportimet e Sinjalit me dokumente, për tenderët që dyshohet se janë kurdisur nga Arif Daka, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të MPB-së por edhe në adresë të ministrit që udhëheqë me këtë dikaster, Xhelal Sveçlës. Ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje as në email, as në mesazhet që i janë dërguar përmes rrjetit “Viber”, po as në numrin e tij personal.

Kështu ministri Sveçla po refuzon të përgjigjet për rastet për të cilat ka premtuar se Qeveria në të cilën ai bën pjesë, por edhe dikasteri që udhëheqë do ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/