Edhe pse u formua në vitin 2021, klubi basketbollistik KBF Peja 03 është duke e marrë vëmendjen me paraqitjet mahnitëse që po bën.
Pjesë e këtij klubi janë shumë vajza të reja, të cilat kanë një pasion të përbashkët, e që është loja e basketbollit, raporton Gazeta Sinjali.
Ideja e themelimit të këtij klubi erdhi për shkak të interesimit të madh në këtë qytet për lojën e basketbollit, e po ashtu edhe basketbollistet e talentuara që ka ky vend.
Por, mundi i këtyre sportisteve të reja siç duket është duke u shpaguar, pasi që duke dhënë çdo gjë nga vetja ato tani janë në garë për dy trofe në Ligën e Parë të Kosovës.
Qëllimi i vajzave të klubit pejan është inkuadrimi në Superligën e Kosovës, gjë e cila edhe është e pritshme me paraqitjet që kanë bërë deri më tani.
Aktualisht klubi pejan është lider në Ligën e Parë të Kosovës dhe është pjesë e turneut përfundimtar në garat e kupës. Kurse, synim tjetër i tyre është që klubi të përfaqësohet nga lojtare vendore.
KBF Peja 03 është klubi basketbollistik i femrave nga Peja që edhe pse u krijua vonë pritet të mbahet në mend për një kohë të gjatë me suksese.