image Katër vitet e fundit në Shqipëri janë mbyllur mbi 7 mijë biznese

Shqipëri

Katër vitet e fundit në Shqipëri janë mbyllur mbi 7 mijë biznese

news image

Bizneset e vogla në Shqipëri nuk po arrijnë të mbijetojnë në një treg, pasi që konkurrenca sa vjen e po shtohet nga zinxhirët e mëdhenj të tregtimit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar ka vazhdimisht ulje që nga viti 2016. Në fund të 2019-së, në Shqipëri kishte 89.3 mijë biznese të vogla, nga gati 97 mijë që u shënua niveli rekord në 2016-në, me një rënie prej 7.5 për qind, ose rreth 7,300 subjekte më pak.

Në të kundërt, bizneset e mëdha duket se po shkojnë drejt rritjes. Numri i subjekteve me 5-9 të punësuar është rritur me gati 18 për qind në periudhën 2016-2019.

Më e fortë ka qenë rritja e ndërmarrjeve që kanë nga 10 deri në 49 të punësuar, transmeton Gazeta Sinjali.

Ndonëse në rritje, Shqipëria ka shumë pak sipërmarrje të mëdha, që kanë mbi 50 punonjës.

Pavarësisht rritjes së sipërmarrjeve të mëdha, subjektet e vogla me deri në 4 të punësuar janë mbizotëruese, duke përbërë 86 për qind të ndërmarrjeve në vend. Ato janë të rëndësishme sidomos sa i përket punësimit, ku pjesa më e madhe janë të vetëpunësuar. Sipas INSTAT, në fund të 2019-së kishte 147 mijë të punësuar në këto ndërmarrje, ose gati 28% e punësimit në privat në total.

Ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar zënë 1.4 për qind të totalit të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2019, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesorë në ekonomi dhe realizuan 46.8 për qind të shitjeve neto. /Gazeta Sinjali/