Me 47 vjet e gjysmë burgim janë dënuar katër të pandehurit, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të akuzuar për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.
I akuzuari Bekim Raja është dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanaj me 8 vite 6 muaj burgim, Murat Sinanaj me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishi me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur.
Ky aktgjykim u shpall të premten në Gjykatën Themelore të Pejës nga trupi gjykues.
Kurse pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil, raporton Betimi për Drejtësi.
Në seancën të mbajtur më 15 prill 2021, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhsaj ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vepra penale e bashkimit kriminal, në forma të tjera të bashkëpunimit.
Në këtë rast penal, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin dënues të Themelores ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të cilët ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.
Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkimit kriminal.
Sipas Supremes, tek bashkimi kriminal, anëtarët e grupit përgjigjen penalisht për veprat penale që rezultojnë nga plani kriminal edhe nëse nuk kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e veprës konkrete nga plani i kriminal i grupit.
Kurse, për rastin e të pandehurve, Supremja ka konstatuar se veprimet e tyre nuk bëjnë pjesë në kuadër të bashkimit kriminal, por për forma tjera të bashkëpunimit mes të dënuarve për kryerjen e vrasjes.
Supremja në fund ka theksuar se dispozitivi i aktgjykimit duhet të jetë i strukturuar ndryshe nga i tanishmi, duke u përshkruar ndaras veprimet e secilit të akuzuar në përputhje me rolin e secilit të pandehur.
“Gjithashtu cilësimi juridik është në kundërshtim me përshkrimin faktik, për faktin se të gjithë janë akuzuar si kryerës të vrasjes, të kryer në kuadër të bashkimit kriminal, ndërsa në përshkrimin e veprës penale, thuhet se i akuzuari B.R. si shtytës ka shtyrë të akuzuarin, Xh.P., në atë mënyrë që të akuzuarit Xh. dhe A., në rolin e ndihmësit e kanë ndihmuar të akuzuarin M. si kryerës për ta vrarë të ndjerin, i cili e ka vrarë të ndjerin e në rrethana të tilla cilësimi juridik i veprës penale, përpos që është në kundërshtim me përshkrimin faktik, ai është edhe i paqartë, ngase nga përshkrimi i veprës penale del se përpos për kryes të vrasjes, kemi të bëjmë me shtytës të vrasjes, ndihmës të vrasjes, mirëpo asnjë nuk është shpallë fajtorë, as për shtytje as për ndihmë në vrasje, por si vrasës”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Supremja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka konsideruar të kundërligjshëm, për faktin se nuk kishte dhënë arsye për pretendimet ankimore, por ishte mjaftuar me konstatime “se pretendimet nga ankesa janë të pabazuara” pa një arsyetim të detajuar, se pse pretendimet e tilla ankimore qenkan të pabazuara.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.