image Katër shtetase të Shqipërisë po qëndrojnë në Kosovë, policia dyshon se janë trafikuar

Siguri

Katër shtetase të Shqipërisë po qëndrojnë në Kosovë, policia dyshon se janë trafikuar

news image

Një aksion i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka rezultuar me identifikimin e katër grave, shtetase të Shqipërisë, që po qëndronin në Kosovë. E njëra nga to, A.H., është hasur duke punuar në kundërshtim me Ligjin për të Huajt, për çka i është shqiptuar gjoba sipas dispozitave të parapara ligjore.

Sipas informacioneve që ka pranuar Gazeta Sinjali nga dy sinjalizuese, A.H., po ushtronte prostitucion në banesën e saj në Mitrovicë, derisa policia i ka rënë në gjurmë, por këta të fundit nuk kanë konfirmuar pretendimet e tyre.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Sinjali, Policia e Kosovës konfirmon se përveç gruas së apostrofuar, në Kosovë po qëndrojnë edhe tri shtetase të tjera të Shqipërisë.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me datë 17.08.2020, ka zhvilluar aktivitete në terren në drejtim të verifikimit të një informacioni që kishte në dispozicion, në këtë drejtim ka arritur të lokalizojë/ identifikojë në një lokal 4 shtetase të Shqipërisë, ndër to ishte edhe personi i potencuar”, konfirmon policia për Gazetën Sinjali.

Të njëjtave i është dhënë për plotësim formulari nëse kanë qenë viktima të trafikimit, por, asnjëra nga to nuk e ka deklaruar vetën si të tillë.

“Të gjitha këtyre shtetaseve të Shqipërisë iu është ofruar formulari me informacione mbi të drejtat e viktimave të trafikimit, por, asnjëra nga to nuk e ka deklaruar vetën si viktimë të TQNJ-së. Duke u bazuar në këto veprime që janë ndërmarrë nuk është hasur në ndonjë indikacion të ndonjë vepre penale që është në kompetencë të DHTQNJ-se, por është kuptuar se të njëjtat dyshohej se janë duke qëndruar në RKS, në kundërshtim me Ligjin për të Huaj”

“Lidhur me këto shtetase janë informuar Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (DMH), që të trajtojë rastin sipas kompetencës lëndore”, vijon tutje policia.

Policia konstaton se rasti në fjalë është duke u trajtuar bashkë me njësitet e tjera relavente të Policisë së Kosovës.

“Ky rast  ka vazhduar dhe është trajtuar në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë se Kosovës dhe pas verifikimit dhe shqyrtimit të rastit, është konstatuar se personi në fjalë është duke qëndruar legalisht, por është gjetur duke punuar në kundërshtim me ligjin për të huaj, ku i është shqiptuar gjoba sipas dispozitave të parapara ligjore”. /Gazeta Sinjali/