Në një konferencë për media sot shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka paraqitur propozimet që kjo parti ia ka dërguar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sa i përket vendimit për shtrenjtimin e rrymës, raporton Gazeta Sinjali.
“Për të dy dokumentetet ( e ZRrE-së) kemi komentet tona. Qëllimi i propozimeve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është mbrojtja e interesit dhe mirëqenies së qytetarëve dhe stabiliteti i furnizimit me energji elektrike. Përbrenda propozimit tonë ne ruajmë familjet me gjendje të rënduar ekonomike, familjet dhe amvisëritë me të hyra mesatare dhe stimulojmë kursimin e energjisë elektrike te shpenzuesit e mëdhenj”, tha ajo.
Partia në pushtet ka kërkuar nga ZRrE një strukturë të re tarifore, sipas të cilës propozohet rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kw rrymë për orë.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje propozon një strukturë të re tarifore, si në vijim:
“Blloku i parë tarifor deri në 800 kw/h , i cili mbulohet nga prodhimi i kekut, të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63 për qind të amvisërive në Republikën e Kosovës.”
“Blloku i dytë tarifor – 800 kw/h deri në 1400 kw/h të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencionit të Qeverisë dhe llogaritjeve të ZRrE-së dhe përfshin mbi 23 për qind të amvisërive. Rrjedhimit, me propozimin tonë rreth 2/3 e ambisërive të vendit tonë kursehen në masë të ndjeshme nga ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike.”
“Blloku i tretë përfshin kategorinë e konsumatorëve që shpenzojnë mbi 1400 kw/h. Gjithashtu propozimet tona në mënyrë që drejtpërdrejt të ndikohen në zbutjen e krizës energjetike kanë të bëjnë me shqyrtimin e dokumentit për hyrat e lejuara maksimale”, tha ajo./GazetaSinjali/